Në Kosovë janë realizuar dhjetëra ekstradime të personave të kërkuar ndërkombëtarisht, ku prin Gjermania, e ndjekur nga Shqipëria dhe Zvicra.
Autorët e ekstraduar kërkoheshin kryesisht për vepra penale si trafikim me narkotikë, trafikim me njerëz, vrasje, krime ekonomike etj. Këto ekstradime janë rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet Kosovës dhe shteteve partnere në luftën kundër krimit.
Policia e Kosovës bazuar në të dhënat zyrtare të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, konfirmoi për media se në vitin 2025 në total u realizuan 84 ekstradime, transferim dhe depërtime, prej tyre: 77 ekstradime, 5 transfere dhe 2 depërtime.
Vendet me numrin me të madh te ekstradimeve janë Gjermania me gjithsej 18, Shqipëria me 16, Zvicra me 8, Maqedonia e veriut me 6, Turqia me 5, Italia me 5, konfirmoi policia.
Ekstradimet kanë vazhduar edhe në janar të vitit 2026, ku për një muaj janë realizuar gjithsej 8 ekstradime, nga vende të ndryshme.
Veprat penale për të cilat personat kanë qenë në kërkim dhe janë ekstraduar janë nga më të ndryshmet, kryesisht atyre të krimeve të rënda siç janë “trafikimi me narkotik, trafikimi me njerëz, vrasjet, vrasjet në tentative, krimeve ekonomike, trafikimi me armë etj”, konfirmon PK.
Sipas policisë, këto rezultate janë arritur në bashkëpunim edhe me institucionet tjera, në veçanti atyre të drejtësisë e “po ashtu falë bashkëpunimit në nivel të shkëlqyeshëm me shtete dhe organizatat tjera ndërkombëtare”.
“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, bëri të ditur policia.