Princi Laurent i Belgjikës, vëllai i mbretit Filip, deklaroi se ka pasur dy takime private me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, pasi emri i tij u përmend në dokumente të publikuara të premten nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Në një deklaratë për agjencinë belge të lajmeve Belga, princi 62-vjeçar sqaroi se takimet u zhvilluan me kërkesë të Epstein, i pari në fillim të viteve 1990 dhe i dyti në fillim të viteve 2000. Ai theksoi se nuk e ka takuar kurrë Epstein në ndonjë aktivitet publik apo ngjarje kolektive.
Këto sqarime vijnë pasi fillimisht princi Laurent kishte deklaruar se “kurrë” nuk kishte marrë pjesë në evente ku ishte i pranishëm Epstein apo bashkëpunëtorët e tij.
Sipas tij, Epstein kishte kontaktuar disa herë me të gjatë periudhës kur princi kryente praktikën profesionale në OKB dhe në një bankë të madhe në Nju Jork. “Ai donte të takonte prindërit e mi për t’ua prezantuar me miq të tij miliarderë”, deklaroi princi Laurent, duke shtuar se e kishte refuzuar këtë kërkesë.
Një dekadë më vonë, në vitin 2012, Epstein e kontaktoi sërish princin belg, duke e ftuar në një darkë në Paris, ku, sipas tij, do të ishte i pranishëm edhe një kryetar shteti, si dhe figura të pasura dhe të fuqishme.
Edhe këtë herë, princi Laurent tha se e kishte refuzuar ftesën.