Shefi i stafit teknik i KF Shkëndija flet me nota pozitive për fazën kryesore të përgatitjeve në Antalia të Turqisë, ku kuqezinjtë përveç seancave stërvitore zhvilluan katër ndeshje kontrolluese me ekipe serioze si FC Oleksandrya nga Ukraina (1:1),
Podbrezova nga Sllovakia (1:2), FK Sarajevo nga Bosnje dhe Hercegovina (3:2) dhe FC Ordabasy nga Kazakistani (1:1).
Trajneri Jeton Beqiri në takimin e fundit ndeshjen e nisi me ndryshime në formacion dhe me lojtarë të caktuar që luanin në pozita jo natyrale, duke shfrytëzuar takimin për situata të papritura që mund ta gjejnë ekipin në ndeshjet zyrtare.
“Për ndeshjen e fundit vendosa të bëj disa ndryshime në formacion dhe disa ndryshime të pozicioneve të disa futbollistëve, për shkak se gjatë kampionatit ne përballemi me situata të ndryshme normalisht dhe disa futbollistë kanë akumulaur shumë minuta gjatë këtyre ndeshjeve dhe doja që mos të rrezikojmë për dëmtime, lodhje dhe situata të cilat pastaj do të na komplikonin skuadrën para fillimit të kampionatit”, thotë Beqiri, duke dhënë një vlerësim për gjithë fazën përgatitore.
“Si fazë përgatitore unë e vlerësoj pozitivisht.
E vetmja gjë negative ka qenë moti i keq që ka mbizotëruar thuajse gjatë gjithë qëndrimit tonë në Antalia.
Mirëpo kjo ka qenë pengesë për gjitha skuadrat të cilat janë përgatitur këtu.
E rëndësishme është se ne i zhvilluam gjitha katër ndeshjet kontrolluese në kushte të mira, ndërsa sa u përket rezultateve, nuk është se e kemi si synim në miqësore. Synimi jonë është tu japim minuta gjithë futbollistëve dhe të insistojmë mos kemi dëmtime.
Shqetësimi i vetëm është dëmtimi i lehtë i sulmuesit Ndzengue dhe portierit, Gaye që humbi ndeshjen e fundit. Por lajmi i mirë është se ata bashkohen me ekipin në stërvitje dhe deri në fillim të kampionatit do të jenë të gatshëm.”
Për trajnerin Beqiri skuadra duket në formë të kënaqshme dhe fizikisht qëndron mirë pavarësisht se ekipi jonë pati pushimin më të shkurtër në raport me ekipet tjera shkaku i Evropës.
“Jam i kënaqur me lëvizjen e skuadrës, si në formën fizike ashtu edhe taktike mendoj se jemi në moment të mirë, pavarësisht faktit se ne patëm më pak ditë pushimi shkaku i aventurës tonë evropiane që zgjati më shumë. Shpresojmë që me këmbë të mbarë ta nisim kampionatin.”
Ekipi pas kthimit do të vazhdojë punën në Tetove, derisa më 10 shkurt në terren vendas do të ndeshemi me Struga Trim&Lum në duelin e xhiros së 17-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
“Mendoj se skuadra është e gatshme, ne nuk kemi pësuar edhe shumë ndryshime në skuadër, ditëve të fundit na u bashkangjit edhe Reshat Ramadani, një futbollist i ambientuar në skuadën tonë tash e disa vite dhe nuk ka nevojë për kohë adaptimi. Kështu që besoj se skuadra është e kompletuar dhe e gatshme për tu përballur për ndeshjet e kampionatit, Kupës dhe ndeshjeve Evropiane”, përfundoi Jeton Beqiri.