Unioni i futbollistëve britanikë (Professional Footballers’ Association – PFA) ka prezantuar protokollin e parë gjithëpërfshirës për parandalimin e CTE-së (Encefalopatisë Traumatike Kronike), një sëmundje serioze degjenerative e trurit që lidhet drejtpërdrejt me goditjet e përsëritura në kokë.
Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit afatgjatë të futbollistëve profesionistë dhe të rinjve.
Sipas udhëzimeve të reja, lojtarët profesionistë nuk duhet të kryejnë më shumë se 10 goditje me kokë në javë, përfshirë edhe stërvitjet, ndërsa fëmijët nën moshën 12 vjeç nuk duhet ta godasin fare topin me kokë.
Protokolli do të zbatohet në Premier League, FA Women’s Super League dhe në ligat e tjera profesionale në Angli.
CTE është një sëmundje që zhvillohet gradualisht si pasojë e goditjeve të përsëritura në kokë dhe lidhet me humbje të kujtesës, depresion, ndryshime të sjelljes dhe probleme të rënda mendore.
Ajo diagnostikohet zakonisht vetëm pas vdekjes, çka e bën edhe më të rrezikshme dhe të fshehtë.
“CTE është e parandalueshme. Pikë”, deklaroi Dr. Adam White, Drejtor i Shëndetit të Trurit në PFA, gjatë Samitit Global për CTE në San Francisko.
“Më pak goditje me kokë, më pak forcë, më rrallë dhe më vonë në jetë – kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur sportistët”, shtoi ai.
Studime të financuara nga PFA dhe Federata Angleze e Futbollit tregojnë se futbollistët profesionistë skocezë kanë 3.5 herë më shumë rrezik për demencë krahasuar me popullatën e përgjithshme.
Protokolli i ri përfshin gjithashtu edukim vjetor, mbështetje për kërkime shkencore dhe kujdes të specializuar për ish-lojtarët që dyshojnë se vuajnë nga CTE.