Çdo konferencë për shtyp, Guardiola pyetet për të ardhmen e tij. Pep vazhdimisht e shpërndan pasigurinë rreth qëndrimit te Mançester Siti, por disa javë më vonë pyetja rishfaqet.
Në korridoret e Premier League, merret si e mirëqenë që trajneri spanjoll nga Santpedor do të largohet nga “Etihad” këtë verë.
Është një thashethem i çuditshëm, sepse si klubi ashtu edhe vetë trajneri e mohojnë, por është një thashethem i mirënjohur.
Guardiola, pas një dekade historike te Siti dhe me një kontratë deri në vitin 2027, nuk do të shkarkohet edhe nëse objektivat nuk përmbushen. Ai largohet vetëm në rast se do vetë. Në këto kushte kanë nisur të qarkullojnë dhe emrat e parë.
ENCO MARESKA – Sipas “The Telegraph”, Enco Mareska është kandidati kryesor për të zëvendësuar Pep Guardiolën këtë verë, përveç nëse ai pranon një punë tjetër paraprakisht. Italiani, i shkarkuar nga Çelsi më 1 janar mes thashethemeve për kontakt me Sitin dhe Juventusin, ishte asistent i Guardiolës te Mançesteri gjatë sezonit 2022-23, sezoni në të cilin ata fituan Ligën e Kampionëve.