Erblin Vranovci: Jam gati për të mbrojtur portën e ekipit tim

- Bota Sot

Erblin Vranovci: Jam gati për të mbrojtur portën e ekipit tim

Shtatlarti ferizajas, portieri Erblin Vranovci, me padurim pret debutimin e tij me ekipin e parë të seniorëve të FC Ferizaj.

Portieri 17-vjeçar shprehet i gatshëm për çdo sfidë në fanellën e Ferizajt, skuadër që synon të sigurojë ekzistencën në elitën e futbollit të Kosovës. 

Vranovci vjen pas paraqitjeve të mira te FC Ferizaj U-19 dhe U-21, si dhe ka qenë disa herë i grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës U-18.

Talenti i ri tha se është privilegj dhe përgjegjësi të jesh në ekipin e parë të Ferizajt.
Vranovci

Vranovci njihet për refleksët e tij të jashtëzakonshëm, ndërsa pret me padurim rastin për të dëshmuar vlerat e tij në Superligë.

“Jam i përgatitur në maksimum. Çdo ditë të fazës përgatitore kam punuar me përkushtim të plotë së bashku me ekipin.

Kemi pasur edhe vështirësi, por i kemi tejkaluar ato me stërvitje intensive dhe pa u ndalur asnjëherë, madje me nga dy seanca stërvitore në ditë”, ka deklaruar Vranovci për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Në fund, portieri i ri zotohet se do të japë maksimumin për fanellën ferizajase.

“Si portier, ndihem gati për të mbrojtur portën e ekipit tim dhe për të pritur suksesin që besoj se do të vijë me punë dhe disiplinë”, përfundoi Vranovci.



Read it all at Bota Sot