PSV hedh poshtë zërat për kroatin

- Bota Sot

PSV hedh poshtë zërat për kroatin

Zërat për një rikthim të mundshëm të Ivan Perishiqit tek Interi kanë qarkulluar gjatë gjithë merkatos së dimrit, duke ushqyer shpresat e tifozëve zikaltër për ta parë sërish kroatin në “San Siro”.

Megjithatë, në fund gjithçka mbeti vetëm në nivel thashethemesh, me anësorin që vazhdoi aventurën e tij te PSV Eindhoven.

Për të sqaruar situatën ka ndërhyrë drejtori teknik i klubit holandez, Earnest Stewart, i cili në një intervistë për ESPN Holland ka mohuar kategorikisht se PSV ka marrë ndonjë ofertë zyrtare për lojtarin.

Sipas tij, klubi nuk ka hyrë kurrë në bisedime direkte me Interin apo me ndonjë skuadër tjetër për Ivan Perishiqin.

“Nuk kemi folur asnjëherë drejtpërdrejt me ndonjë klub për Ivanin.

Nga ajo që dimë, vetëm përmes agjencisë së tij kemi marrë informacion se kishte interes nga Interi dhe nga një klub tjetër, por oferta konkrete nuk ka ardhur kurrë”, ka deklaruar Stewart.

Këto fjalë u japin fund spekulimeve që shoqëruan merkaton e janarit dhe konfirmojnë se rikthimi i Perishiqit në Milano nuk ka qenë kurrë realisht pranë realizimit. Interi, që kërkonte përforcime me eksperiencë në krahë, duket se është ndalur vetëm në një interes fillestar, pa e konkretizuar më tej.

Nga ana tjetër, PSV ka ruajtur një nga lojtarët më me eksperiencë, ndërsa Ivan Perishiq vazhdon të mbetet një element i rëndësishëm për skuadrën holandeze. Për momentin, kapitulli “Inter” mbetet i mbyllur, të paktën sipas versionit zyrtar të klubit nga Eindhoveni.



Read it all at Bota Sot