E ardhmja e Casemiros mund të jetë në Shtetet e Bashkuara.
Mesfushori brazilian ka konfirmuar muajin e kaluar se do të ndahet nga Manchester United në qershor, në përfundim të kontratës së tij, dhe tashmë kanë nisur të qarkullojnë zëra për destinacionin e radhës.
Sipas Daily Mail, një nga klubet më të interesuara është LA Galaxy, i cili po studion mundësinë për ta transferuar Casemiron duke shfrytëzuar një rregull specifik të Major League Soccer: “Designated Player”.
Ky mekanizëm u krijua në vitin 2007, pas transferimit historik të David Beckham nga Real Madridi te LA Galaxy, një lëvizje që rriti ndjeshëm popullaritetin e futbollit në SHBA.
Në MLS ekziston një tavan strikt pagash, por rregulli i “Designated Player” u lejon klubeve të regjistrojnë deri në tre lojtarë, paga ose kostoja e transferimit të të cilëve nuk llogariten brenda këtij kufiri. Aktualisht, LA Galaxy i ka të zëna këto tri vende me Joseph Paintsil, Gabriel Pec dhe Riqui Puig.
Megjithatë, situata e Puig mund të hapë derën për Casemiron. Ish-mesfushori i Barcelonës ka kaluar vite shumë të vështira me dëmtime, duke pësuar këputje të ligamentit në fund të vitit 2024, mungesë totale gjatë sezonit 2025 dhe një tjetër ndërhyrje kirurgjikale në janar, që e përjashton për gjithë vitin 2026.
Rregullorja e MLS-së i lejon Galaxy-t ta vendosë Puig në listën e dëmtimeve afatgjata, duke liruar përkohësisht statusin e “Designated Player”.
Kjo do të krijonte hapësirën e nevojshme për një emër të madh si Casemiro, i cili, pas një karriere të lavdishme në Europë, mund të zgjedhë MLS-në si kapitullin e radhës të karrierës së tij. LA Galaxy ka mundësinë reale të hapë një vend për Casemiron në MLS, këtë verë.