Java e ashtuquajtur e së vërtetës për FC Baselin është shndërruar në një javë zhgënjimesh.
Pas emërimit të trajnerit të ri, Stephan Lichtsteiner, FCB ka pësuar tre humbje radhazi: eliminimin nga Europa League, disfatën ndaj liderit të Superligës Thun dhe tani edhe eliminimin në çerekfinale të Kupës së Zvicrës.
Fitorja spektakolare 4:3 ndaj FC Zurich ishte parë si pikëkthese, por realiteti ka qenë krejt tjetër.
Ndryshimi i trajnerit nga Ludovic Magnin te Lichtsteiner nuk ka dhënë ende efekt. Ish-kapiteni i kombëtares zvicerane mbetet pa fitore pas tre ndeshjesh në krye të ekipit.
Humbja 0:1 ndaj Viktoria Plzen i kushtoi Baselit kualifikimin në fazën nokaut të Europa League.
Pasoi disfata 1:2 në shtëpi ndaj Thunit, që vështirësoi gjasat për mbrojtjen e titullit kampion.
Mbrëmjen e së mërkurës, goli i pësuar në minutat shtesë kundër St. Gallen (1:2) vulosi eliminimin edhe nga Kupa.
Kapiteni Xherdan Shaqiri nuk e fshehu zhgënjimin pas ndeshjes. “Prisnim më shumë.
Duhet të jesh i përqendruar për 90 apo 95 minuta për të paktën të shkuar në vazhdime,” tha ai për “SRF”. Basel pësoi gol që në minutën e parë dhe humbi gjithçka në fund.
Pas vërshëllimës përfundimtare, Shaqiri pati një debat të shkurtër me një tifoz të revoltuar.
"Një tifoz më bërtiti diçka. I thashë të qëndronte i qetë dhe të brohoriste për ekipin deri në fund”, - shpjegoi ai më pas.
Kapiteni theksoi se e kupton zemërimin e tifozëve: “As ne nuk jemi të kënaqur.
Por tani duhet të qëndrojmë të bashkuar”!
“Baseli tashmë ka humbur objektivat në Europë dhe Kupë, ndërsa në kampionat është 13 pikë pas Thunit”, shkruan media zvicerane “Blueëin”.
Megjithatë, Shaqiri nuk dorëzohet: “Derisa të jetë matematikisht e pamundur, nuk heqim dorë.
Do të përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje – por sot humbëm një shans të madh”.