Si dështoi transferimi?

- Bota Sot

Si dështoi transferimi?

Janë zbuluar shkaqet që çuan në dështimin e kon trolleve mjekësore të Zhan Filipe Mateta me gjigantët italianë të Milanit, duke bërë që transferimi i sulmuesit francez nga Kristal Palas të anulohej në fund të merkatos së janarit.

28-vjeçari ishte i vendosur të largohej nga “Selhurst Park” dhe gjithçka dukej se po shkonte drejt finalizimit të kalimit në “San Siro”.

Dy klubet kishin arritur marrëveshjen, ndërsa Mateta kishte kryer edhe vizitat mjekësore përpara firmës së shumëpritur.

Megjithatë, gjatë këtyre kontrolleve u evidentuan disa problematika shëndetësore, që ndryshuan rrënjësisht situatën dhe bënë që sulmuesi të mbetej ende lojtar i Kristal Palas.

Sipas “BBC Sport”, klubi londinez kishte informuar Milanin gjatë negociatave për problemet e vazhdueshme që Mateta ka pasur ndër vite me gjurin e djathtë.

Sulmuesi kishte pësuar një këputje të meniskut në vitin 2019, gjatë kohës kur aktivizohej me Mainz, çka e detyroi t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe të mungonte për rreth gjashtë muaj. Pas analizimit të situatës, drejtuesit e Milanit arritën në përfundimin se, në rast transferimi, Mateta do të duhej t’i nënshtrohej një operacioni tjetër, për të zgjidhur përfundimisht problemin në gju.

Kjo perspektivë rriti ndjeshëm dyshimet e “Rossonerëve”, të cilët vendosën të tërhiqeshin nga marrëveshja, duke e konsideruar transferimin një rrezik të lartë. Ky zhvillim përbën një goditje serioze për vetë Matetan. Forma e tij e shkëlqyer me Kristal Palas sezonin e kaluar i siguroi ftesën e parë në kombëtaren e Francës, ku ka lënë përshtypje pozitive sa herë është aktivizuar, duke shënuar dy gola në tri ndeshje me “Gjelat”.

Ky start premtues në arenën ndërkombëtare kishte rritur ndjeshëm shanset e Matetës për t’u përfshirë në listën e Didie Deshamp për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Megjithatë, problemi me gjurin dhe dështimi i transferimit te Milani mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e tij në të ardhmen e afërt.



Read it all at Bota Sot