Sandro Tonali ka përjetuar disa ditë shumë të tensionuara dhe kjo është parë edhe pas ndeshjes mes Mançester Sitit dhe Njukasëllit në Kupën e Ligës.
Mesfushori italian ishte në diskutime për t’u larguar drejt Arsenalit, që kishte kërkuar informacione për të në ditën e fundit të merkatos, teksa edhe Juventusi kishte monitoruar situatën e tij duke shpresuar për një transferim të mundshëm. Por Njukasëlli i mbylli derën çdo kërkese duke mbajtur lojtarin dhe kjo dukshëm nuk i ka pëlqyer futbollistit 25-vjeçar.
Sjellja e tij është bërë objekt diskutimesh sidomos pas ndeshjes së Kupës, pasi mesfushori, në mbyllje të takimit, u ndal i vetëm të fliste me Pep Guardiolën. Ai më pas kaloi para gazetarëve por refuzoi të fliste para tyre, teksa u dëgjua që po komunikonte me një pjesëtare të stafit shumë i mërzitur për eliminimin përballë skuadrës së Guardiolës.
Trajneri Edi Hau ka deklaruar se nuk ka probleme me Tonali dhe se klubi nuk kishte ndër mend ta shiste lojtarin, as në verën e ardhshme kur pritet që shumë klube të trokasin për të. Por situata e fundit me mesfushorin italian mund të ndryshojë mendimin e drejtuesve të klubit, sidomos nëse hapet një ankand i mirëfilltë për të duke i çuar vlerën e kartonit.