Tirana dhe Dinamo kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të “Abissnet Superiore”.
Derbi i zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, përfundoi 1-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri i bardhebluve, Ardian Nuhiu.
“Mua personalisht më pëlqeu skuadra, më pëlqen karakteri i grupit që ka 10 ndeshje, ku ka fituar dhe barazuar.
Duke parë kundërshtarin që kishim përballë, nëse na kishe thënë në fillim a do e donit barazimin përballë një ekipi që do titullin.
T’i krijosh Dinamos aq shumë raste, duhet ta mbyllësh. Ne e morëm shpejt avantazhin, erdhi kartoni i kuq.
Duhej të na favorizonte, por kundërshtari s’kishte çfarë humbte. Por skuadra jonë duhet ta mbyllte ndeshjen me golin e dytë, i kishim rastet, por nuk realizuam. Asnjë kritikë për çunat, kjo pikë na duket e vogël, për në fund të kampionatit mund të jetë shumë e madhe.
Në fakt në momentin e kartonit të kuq, i kërkuam Rafës që të zbriste poshtë.
Dinamo po shkonte me 3 sulmues, ishim kokë më kokë. Rafën e shihnim të lirë dhe të shkonte në mbrojtje.
Na bëri mirë pushimi për t’ia shpjeguar më mirë skuadrës. Në pjesën e dytë mendoj se e kemi menaxhuar mirë, përveç kornes që nuk ia dolëm. Ajo që i kërkova futbollistëve, fjalia e parë në pushim ishte:
“Djem nëse duhet ta ruajmë rezultatin, duhet të kemi topin pasi kemi 1 lojtar më tepër”. Në atë formë është formuar takimi, por e kishim rezultatin, thjeshtë duhej të mbyllnim rastet e pjesës së dytë dhe do të ishim më të qetë.
Donim të shfrytëzonim shpejtësinë e Tabekou nga ana e djathtë.
Kemi depërtuar edhe aty, por ka munguar finalizimi për golin e dytë. Derisa vendosa të isha me dy sulmues lart, mendova të bënim presion aty. Kundërshtari ka cilësi dhe kanë shumë kohë bashkë.
Na futën në vështirësi, sigurisht. I kënaqur me lojën? Padiskutim që vlen shumë 1 pikë për momentin që gjendemi. Përballë kishim Dinamon, e cila përveç se në kampionat ka bërë mirë edhe në Evropë.
Po e kërkonim fitoren nuk diskutohet, por më pëlqen karakteri i skuadrës që kërkon të fitojë. Do të flisnim ndryshe po të shënonim 2 apo 3 raste përballë portierit”, tha Nuhiu.