Autoritetet franceze kanë paralajmëruar se një fushatë ruse manipulimi po përpiqet të implikojë presidentin Emmanuel Macron në dosjet e Jeffrey Epstein, pas publikimit të një pjese të tyre nga Departamenti amerikan i Drejtësisë më 30 janar.
Sipas agjencisë franceze për ndalimin e manipulimit të informacionit, Viginum, një histori e rremë e publikuar në një website, që imitonte programin “France Soir” të një mediaje franceze, shërbeu si katalizator për fushatën.
Artikulli i rremë pretendonte se presidenti francez kishte marrë pjesë në shumë festa në rezidencën e Epstein në Paris dhe se kishte thënë se i pëlqenin djemtë e rinj.
Viginum paralajmëroi gjithashtu se fushata mbart simbolin e operacionit rus “Stuhia-1516”, që shpërndan histori të sajuara sipas interesave të Kremlinit.
Gjithashtu, artikulli mbante firmën e një gazetari që punonte për gazetën franceze “Le Parisien”, një strategji kjo e njohur për qëllimet e propagandës pro-ruse.
Pjesë të artikullit u morën më vonë nga disa media sociale, përfshirë një video të kamufluar si lajm mediatik, që sugjeronte se Macron kishte organizuar një festë me djem të rinj vetëm një javë pasi kishte marrë detyrën për mandatin e parë presidencial në maj të 2017-s.
Institucionet franceze reaguan duke deklaruar se videoja që paraqitej si e dalë nga dosjet e Epstein ishte në fakt e krijuar përmes inteligjencës artificiale.