De Rossi, i zhgënjyer pas humbjes me Napolin

- Bota Sot

De Rossi, i zhgënjyer pas humbjes me Napolin

Daniele De Rossi nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes dramatike të Genoa-s ndaj Napolit, të vendosur nga penalltia në minutat shtesë që i dha fitoren skuadrës së Antonio Conte-s.

Trajneri i kuqebluve u ndal veçanërisht tek episodi i fundit, duke e konsideruar vendimin një shembull të qartë të problemeve që, sipas tij, po e deformojnë futbollin modern.

Në prononcimin për DAZN, De Rossi u shpreh i ashpër ndaj interpretimit të rregullores: sipas tij, nuk bëhej fjalë për një gabim të qartë që të kërkonte ndërhyrjen e VAR-it.

“Ky nuk është më futbolli që njohim. Duhet t’u kërkoj lojtarëve të hidhen me duart pas shpine dhe të qëndrojnë larg kundërshtarëve në zonë. Rregullorja është shtrembëruar dhe po e ndryshon lojën”, theksoi ai, duke shtuar se arbitri në fushë ka humbur autoritetin e tij.

De Rossi nënvizoi edhe faktin se arbitri Massa, një nga më me përvojë në Serie A, nuk e kishte vlerësuar si penallti situatën në momentin e parë. “Më pas pamë çfarë ndodhi”, shtoi tekniku i Genoa-s, duke lënë të kuptohet pakënaqësinë e thellë.

Pavarësisht polemikave, trajneri roman vlerësoi reagimin e skuadrës dhe atmosferën në “Ferraris”.

“Stadiumi na dha karakter dhe zemër. Kemi bërë një ndeshje të fortë dhe intensive, ndaj ky rezultat lë shumë hidhërim”, tha ai.

Në analizën teknike, De Rossi pranoi disa gabime të skuadrës së tij, duke theksuar vështirësinë për të përballuar një sulmues të nivelit të lartë si Højlund.

“Shfrytëzuam gabimet e Napolit për të shënuar, por nuk mjaftoi për të marrë rezultatin që meritonim”, përfundoi ai.



Read it all at Bota Sot