Futbollisti Anis Mehmeti po vazhdon të lërë gjurmë edhe me fanellën e klubit të ri, Ipswich Town, duke konfirmuar menjëherë se afrimi i tij në afatin kalimtar ishte një goditje e qëlluar.
Futbollisti shqiptar është përshtatur shpejt me ambientin e ri dhe po shfaq një formë mjaft bindëse, duke u kthyer në një pikë referimi për repartin ofensiv.
Në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Derby-t, Mehmeti ishte protagonist absolut, duke realizuar të dy golat e fitores 2:1. I vendosur nga trajneri në rolin e organizatorit, ai tregoi jo vetëm aftësi shënimi, por edhe vizion loje, qetësi me topin dhe inteligjencë taktike, elemente që e bëjnë një lojtar të kompletuar.
Paraqitjet pozitive nuk kanë kaluar pa u vënë re nga trajneri Kieran McKenna, i cili ka folur me superlativa për shqiptarin. Tekniku i Ipswich-it ishte një nga ata që insistoi fort për transferimin e tij në janar, duke mos pritur skadimin e kontratës me Bristol-in.
“Është një lojtar i jashtëzakonshëm.
Ka shumë uri për t’u përmirësuar, si futbollist dhe si njeri.
Ka ardhur në një klub me një dimension tjetër dhe e ka përthithur menjëherë gjithçka.
Dëshiron të mësojë, të ndihmojë ekipin dhe të tregojë se mund t’ia dalë,” u shpreh McKenna.
Sipas trajnerit, impakti i Mehmetit ka qenë shumë pozitiv që në fillim, duke u integruar shpejt dhe duke luajtur me personalitet. Me këtë formë dhe besim nga stafi teknik, Anis Mehmeti po dëshmon se është gati për hapa edhe më të mëdhenj në karrierën e tij.