“Na jepni paratë ose do i gjymtojmë!”- Mbajtën peng për rreth 30 orë gjykatësen me të ëmën, pesë të arrestuar në Francë!

- Bota Sot

“Na jepni paratë ose do i gjymtojmë!”- Mbajtën peng për rreth 30 orë gjykatësen me të ëmën, pesë të arrestuar në Francë!

Autoritetet franceze kanë arrestuar pesë persona pas rrëmbimit të një zyrtareje të drejtësisë dhe nënës së saj, të cilat u mbajtën peng për rreth 30 orë, në kuadër të një rasti shantazhi me kërkesë për shpërblim në kriptomonedha.

Sipas prokurorit të Lionit, Thierry Dran, katër burra dhe një grua janë vendosur në paraburgim. Tre prej tyre u arrestuan gjatë natës, ndërsa dy të tjerët në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Arrestimet erdhën pasi u lokalizuan zyrtarja e drejtësisë, 35 vjeçe, dhe nëna e saj 67-vjeçare, të cilat u gjetën në një garazh në rajonin juglindor të Dromës, mëngjesin e së premtes. Të dyja gratë ishin të lënduara.

Një burim pranë hetimit bëri të ditur se dy nga të arrestuarit u kapën teksa po përpiqeshin të hipnin në një autobus me destinacion Spanjën. Ndërkohë, autoritetet vijonin kërkimet për persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në ngjarje. Një burim i dytë shtoi se gruaja e ndaluar është partnerja e njërit prej katër burrave të arrestuar.

Rrëmbimi vuri në lëvizje një operacion të gjerë policor me pjesëmarrjen e rreth 160 efektivëve, pasi partneri i zyrtares së drejtësisë kishte marrë një mesazh dhe një fotografi nga rrëmbyesit, të cilët kërkonin pagesën e shpërblimit në kriptomonedha. Sipas prokurorit, autorët kishin kërcënuar se do t’u shkaktonin gjymtime viktimave nëse shuma nuk paguhej menjëherë.

Në fund, dy gratë arritën të çliroheshin vetë dhe të kërkonin ndihmë, duke trokitur në derën e garazhit. Një fqinj që dëgjoi zhurmën ndërhyri dhe hapi derën, duke u mundësuar atyre të largoheshin. Ato u shpëtuan mëngjesin e së premtes, pa u paguar asnjë shpërblim.



Read it all at Bota Sot