Pas pushimit prej pak më shumë se dy muajsh, rikthehen ethet e ndeshjeve kampionale, aty ku që në start na pret super dueli midis dy skuadrave më të mira shqiptare për momentin, Shkëndijës së Tetovës dhe Struga Trim Lum.
Përballjet mes këtyre dy skuadrave gjithnjë kanë qenë magnet për publikun, ndërsa ashtu pritet të jetë edhe të martën.
Në prag të këtij takimi shumë të rëndësishëm për të dyja skuadrat, nga tabori i skuadrës strugane për faqen e tyre zyrtare, ka folur njëri nga kapitenët, Besmir Bojku.
“Ndeshje derbi, luajmë me një ndër skuadrat më të mira në vend. I dimë cilësitë e Shkëndijës, por besoj se neve si Struga Trim Lum jemi të gatshëm për të dhënë më të mirën për këtë ndeshje.” – tha Bojku.
Sipas tij skuadra strugane në Tetovë udhëton pa ndonjë ngarkesë psikologjike, dhe me dëshirën e madhe për të luajtur futboll cilësor.
“Ndeshjet derbi janë gjithmonë të paparashikueshme, mund të vendos një episodë gjatë ndeshjes, neve shkojmë në Tetovë pa ngarkesë psikologjike, shkojmë të luajmë futbollin tonë siç kemi luajtur deri tani dhe në fund kush është më i miri le të fitoj ndeshjen” – përfundoi Bojku, i cili kundër Shkëndijës do të zhvillojë ndeshjen e tij të 13-të në karrierë.
Deri më tani, i njëjti plotë 5 herë ka dalë fitues ndaj “kuqezinjëve”, derisa gjithashtu ka regjistruar edhe dy barazime dhe dy disfata.
Bojku të martën, njëherit do të kërkojë edhe golin e parë në përballjet ndaj Shkëndijës.