Ruben Amorim, pritet të rikthehet në drejtimin e një klubi në verë, me destinacionin më të mundshëm kampionatin portugez.
Pas një eksperience 14-mujore te Manchester United, e cila përfundoi me shkarkimin e tij më 6 janar, 41-vjeçari po shihet si pasardhësi i Jose Mourinhos te Benfica.
Sipas ESPN, Mourinho mund të marrë drejtimin e kombëtares së Portugalisë pas përfundimit të Botërorit 2026, duke lënë vakant stolin e “Shqiponjave” të Lisbonës.
Amorim, i cili ka luajtur 154 ndeshje për Benficën gjatë karrierës si futbollist, gëzon mbështetje të madhe te drejtuesit e klubit pavarësisht dështimit në Premier League.
Gjatë kohës te United, ai arriti 25 fitore në 63 ndeshje, por reputacioni i tij në Portugali mbetet i lartë falë dy titujve kampionë të fituar më parë me Sportingun.