Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita e Gjilanit, është e pikëlluar me ikjen në amshim të trajnerit dhe veprimtarit të shquar të futbollit të Kosovës, Jakup Berisha.
Ndryshe, Berisha ka qenë edhe anëtar i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ikones së sportit gjilanas z. Jakup Berisha.
Jakupi ishte një figurë e respektuar e futbollit gjilanas dhe kosovar.
Ai ka qenë trajner shumëvjeçar i klubit tonë Drita gjatë viteve të ’70-ta dhe viteve të ’80-ta, duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin dhe ngritjen e klubit në ato periudha.
Në vitin 1991, me pavarësimin e futbollit kosovar, Jakup Berisha u propozua nga KF Drita si anëtar i Federatës së Futbollit të Pavarur të Kosovës, ku shërbeu me përkushtim deri në fund të viteve të kësaj dekade.
Kontributi i tij në futboll, përkushtimi dhe dashuria për sportin do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë së klubit tone dhe futbollit kosovar.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Berisha, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv”, shkruan në faqen e FC Drita.