Spektakël në “Fadil Vokrri”, Ballkani e eliminon Prishtinën pas penalltive maratonike

- Bota Sot

Spektakël në “Fadil Vokrri”, Ballkani e eliminon Prishtinën pas penalltive maratonike

Ballkani i Therandës është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës, pasi mposhti Prishtinën me penallti maratonike me rezultat 11:10.

Takimi u zhvillua nën dritat e reflektorëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku të dy skuadrat dhuruan lojë cilësore dhe emocione deri në sekondat e fundit. 

Në kohën e rregull ndeshja përfundoi baras (2:2). 

Pas 120 minutave lojë rezultati ishte 3:3, ndërsa penalltitë përcaktuan skuadrën që vazhdon tutje.

Prishtina e nisi furishëm sfidën, duke kaluar në epërsi që në sekondën e 50-të me golin e qendërmbrojtësit Philippe Boueye. Bardhekaltrit dyfishuan epërsinë në minutën e 50-të me Mario Ilievskin, i cili realizoi pas asistimit të Dren Zeqirit për 2:0 ndaj liderit aktual të kampionatit.

Kur gjithçka dukej nën kontroll për vendasit, Ballkani reagoi fuqishëm në pjesën e fundit të ndeshjes.

Në minutën e 77-të, Ardian Limani shënoi autogol për 2:1, ndërsa në minutën e 89-të Almir Kryeziu realizoi nga penalltia e fituar nga Walid Hamidi, duke barazuar shifrat në 2:2 dhe duke dërguar ndeshjen në vazhdime.

Në kohën shtesë, therandasit kaluan për herë të parë në epërsi me golin e Ivica Batarelos në minutën e 97-të (2:3).

Megjithatë, reagimi i Prishtinës ishte i menjëhershëm, pasi Lorik Mehmeti barazoi në 3:3 në minutën e 100-të.

Meqë edhe pas 120 minutave nuk pati fitues, gjithçka u vendos nga pika e bardhë, ku Ballkani u tregua më e saktë dhe siguroi një vend në çerekfinale.

Ballkani i bashkohet në këtë fazë Llapit, Ferizajt dhe Dukagjini.

Penalltitë, për Prishtinën shënuan Albin Krasniqi (2 gola), Rin Ahmeti, Blend Baftiu, Sylian Mokono, Lorik Mehmeti, Ardian Limani, Ramiz Bytyçi, Altin Gjokaj, Ardian Mujaj; dështuan Ardian Mujaj, Arjon Bllaca (humbi 2 penallti), Philippe Boueye, Rin Ahmeti dhe për Ballkanin Valentin Serebe, Festim Alidemaj (2 gola), Bajram Jashanica (2 gola), Bleart Tolaj, Albert Diene, Arbër Potoku, Ivica Batarelo, Adnan Goluboviq, Almir Kryeziu; dështuan Almir Kryeziu, Ardit Deliu, Gerald Smajli, Valentin Serebe.



Read it all at Bota Sot