Arman Durmishi vazhdon të konfirmohet si një nga talentet më premtues te Juventus U20.
Edhe pse vetëm 17 vjeç, sulmuesi shqiptar po gjen hapësira të rregullta në ekipin e të rinjve bardhezi dhe po lë gjurmë me paraqitjet e tij.
Në çerekfinalen e Kupës së Italisë për këtë grupmoshë, Juventusi u përball me Interin, në portën e të cilit aktivizohej shqiptari tjetër, Alain Taho. Durmishi e nisi sfidën nga stoli, ndërsa ekipi i tij kishte marrë avantazhin që në minutat e para të takimit.
I hedhur në fushë në pjesën e dytë, 17-vjeçari nuk humbi kohë për të bërë diferencën.
Në minutën e 81-të, në rastin e parë të pastër që iu paraqit, Durmishi realizoi me saktësi, duke shënuar golin e rezultatit të përkohshëm 2-0 dhe duke vulosur praktikisht fatin e ndeshjes.
Ky ishte goli i shtatë sezonal për talentin kuqezi në 15 paraqitje me Juventus U20, statistika që konfirmojnë rritjen e tij të qëndrueshme dhe impaktin në repartin ofensiv.
Durmishi po ndërton me ritëm një profil premtues në akademinë e “Zonjës së Vjetër”, duke forcuar gjithashtu perspektivën e tij me Kombëtaren shqiptare.