Massimiliano Allegri po përgatitet për ndeshjen e gjashtë nëntë ndeshjeve që nga 2 janari, teksa Milani do të përballet nesër mbrëma me Pizën.
Tre pikët janë thelbësore për të mbajtur hapin me Interin dhe për t’i dhënë vazhdimësi suksesit ndaj Bolonjës dhjetë ditë më parë. Allegri paralajmëron se Pisa po lufton për mbijetesë, është një ekip fizik dhe ka bërë ndeshje të mira në shtëpi.
Ai thekson se Milani, pas një pushimi 10-ditor, duhet të jetë gati, pasi pikët në fazën e kthimit janë më të vështira për t’u fituar dhe peshojnë shumë.
Kjo ndeshje shënon fillimin e një cikli prej katër takimesh, ku Milani do të përballet me tre skuadra (Pisa, Parma dhe Cremonese) kundër të cilave fitoi vetëm dy pikë në ndeshjet e para. Allegri e konsideron këtë një raund shumë të rëndësishëm për të bërë një hap drejt kualifikimit në Champions League, duke kërkuar përqendrim dhe mentalitetin e duhur.
Lidhur me gjendjen e skuadrës, Allegri bëri të ditur se Pulisic ka bërë stërvitjen e parë me ekipin dhe ka një autonomi 15-minutëshe. Leao është shumë më mirë, ashtu si Jimenez, i cili mund të jetë në dispozicion brenda një muaji.
I vetmi që do të mungojë në Pisa është Saelemaekers. Trajneri theksoi rëndësinë e të gjithë lojtarëve, si atyre që nisin nga minuta e parë, ashtu edhe zëvendësuesve, pasi ndeshjet zgjasin 100 minuta dhe zëvendësimet janë vendimtare. Ai shtoi se ndeshja më e rëndësishme është ajo e nesërme.
Allegri vlerësoi sezonin e Milanit si të mirë, duke theksuar se objektivi është rikthimi në Champions League, ku aktualisht janë mes katër të parave, por 50 pikë nuk mjaftojnë. Ai pranoi se Interi, Napoli dhe Juventusi janë skuadra shumë të forta dhe se duhet shmangur shpërdorimi i energjive, duke u fokusuar vetëm te grumbullimi i pikëve.
Kur u pyet nëse do të firmoste për një barazh për titull me Interin, Allegri u përgjigj duke u fokusuar te ndeshja me Pizën:
“Interi ka bërë rezultate të jashtëzakonshme. Ne mendojmë të marrim 3 pikë në Pisa, pastaj shohim.” Ai përmendi shkurtimisht sukseset e sportistëve italianë, si Brignone, dhe diskutoi për VAR-in, duke theksuar nevojën për të përmirësuar objektivitetin e vendimeve dhe për të folur më pak për arbitrat.