Detaje të reja mbi bastisjen e zyrave të Komisionit Evropian nga policia belge

- Bota Sot

Detaje të reja mbi bastisjen e zyrave të Komisionit Evropian nga policia belge

Policia belge ka kryer bastisje në Komisionin Evropian në kuadër të një hetimi për parregullsi të mundshme në shitjen e aseteve të pasurive të paluajtshme, raporton Financial Times, taransmeton KosovaPress.

Sipas dy personave të njohur me operacionin, kontrollet janë zhvilluar të enjten në mëngjes në disa ambiente të Komisionit në Bruksel, përfshirë departamentin e buxhetit.

Hetimi lidhet me shitjen e pronave të BE-së, e cila ka ndodhur gjatë mandatit të mëparshëm të Komisionit, kur Johannes Hahn ishte komisioner për buxhetin.

Hahn ishte përgjegjës për menaxhimin e buxhetit prej 1 trilion eurosh të BE-së deri në vitin 2024. Pas përfundimit të mandatit, ai u emërua i dërguar i posaçëm i BE-së për Qipron.

Hetimi po udhëhiqet nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) dhe ka të bëjë me 23 ndërtesa që u blenë nga fondi sovran belg i pasurisë, SFPIM, për 900 milionë euro në vitin 2024. Në atë kohë, Komisioni kishte deklaruar se shitja ishte realizuar përmes tenderit në përputhje me rregulloret financiare të BE-së.

“EPPO mund të konfirmojë se është duke zhvilluar aktivitete për mbledhjen e provave në një hetim në vazhdim”, tha zëdhënësja e EPPO-së, Tine Hollevoet.

“Nuk ka asgjë tjetër që mund të ndajmë në këtë fazë, për të mos rrezikuar procedurat në vazhdim dhe rezultatin e tyre”.

Një zëdhënës i Komisionit tha se “shitja e ndërtesave ka ndjekur procedurat dhe protokollet e përcaktuara dhe ne jemi të bindur se procesi është zhvilluar në përputhje me rregullat”, duke shtuar se ekzekutivi i BE-së “do të bashkëpunojë plotësisht me EPPO-në dhe autoritetet kompetente belge për këtë çështje”.

OLAF, organi i BE-së kundër mashtrimit, refuzoi të komentojë, ashtu si edhe policia federale belge.

SFPIM dhe Hahn nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment.



Read it all at Bota Sot