Një ngjarje e rëndë është zbuluar duke tronditur Francën. Dy foshnja të pajeta janë gjetur në një frigorifer në një shtëpi në komunën Aiguilles-et-Liomont. Një nënë 50-vjeçare u arrestua në lidhje me këtë rast.
Ajo rrëfeu se i kishte futur të porsalindurit në frigorifer menjëherë pas lindjes së tyre , në një kohë të panjohur midis viteve 2011 dhe 2018.
Ajo i kishte mbajtur shtatzënitë e saj sekrete, duke veshur rroba të gjera dhe duke gjetur justifikime për ndryshimin në trupin e saj. Sipas prokurorit, ajo qau dhe shprehu keqardhje për fëmijët dhe familjen e saj.
Zbulimi makabër u bë të martën kur një anëtar i familjes hapi frigoriferin në shtëpinë që 50-vjeçarja e kishte braktisur papritur në dhjetor. Fillimisht, u gjet një foshnjë dhe pak më vonë, policia gjeti të dytën, të mbështjellë me një qese, në të njëjtin frigorifer.
Gruaja, nënë e nëntë fëmijëve me tre burra të ndryshëm, u arrestua në rajonin e Parisit pa i bërë rezistencë arrestimit dhe po mbahet nën akuzën e vrasjes. Gjyqtarja Christine de Quirez tha se dy shtatzënitë e fundit ndodhën midis vitit 2011 kur lindi fëmija i saj i fundit që kishte mbijetuar dhe vitit 2018, kur ajo u kthye në punë.