Sot bëhen 33 vite nga ndeshja historike Shqipëria – Kosova, një takim që tejkaloi kufijtë e sportit dhe u shndërrua në simbol krenarie.
Në vitin 1993, në rrethana jashtëzakonisht të vështira, kur Kosova ishte nën okupim, Kombëtarja e Kosovës udhëtoi drejt Tiranës për të zhvilluar ndeshjen revyale kundër Shqipërisë. Ishte më shumë se një përballje futbolli, ishte një akt guximi dhe dinjiteti kombëtar.
Shqipëria-Kosova 3:1
Stadiumi “Selman Stërmasi” në Tiranë.
Gjyqtarë: B. Pregja, H. Yeskaj, P. Brahja (Tiranë).
Kartoni i verdhë: E. Abazi.
Shënues: Abazi (39), Seferi (40-autogol), Fortuzi (49) – Kushtrim Munishi (50).
Shqipëria: Kapllani (Teuta), Abazi (Teuta), Peqini (Elbasani), Kaçaj (Athinaikoz), Shulku (Partizani), Ocelli (Partizani), Muça (Partizani), Dalipi (Dinamo), Dosti (Partizani), E. Abazi (Sturm e Gracit të Austrisë), Fortuzi (Dinamo). Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe portieri Nallbani (Tirana), Bano (Partizani), Kapedani (Teuta), Bejzade (Dinamo) e Zalla (Teuta). Trajnerë: N. Birçe e S. Starova.
Kosova: Beselica (Prishtina), Berisha (Prishtina), Sadriu (Prishtina), Seferi (Trepça), Llapashtica (Prishtina), Jerliu (Drita), K. Munishi (Prishtina), Ajeti (Drita), Sahiti (Konyaspor Turqia), G. Hoxha (Vëllaznimi), Kozniku (Hajduk Spliti). U aktivizuan edhe Idrizi (Drenica), Rafuna (Prishtina), Tovërlani (Prishtina), S. Osmani (Trepça), Bejta (Prishtina), Nushi (Vëllaznimi). Trajner: Ajet Shosholli.
Nën drejtimin e selektorit Ajet Shosholli, u përzgjodhën futbollistët më të mirë të kohës, ndonëse kushtet ishin tejet të rënda dhe gjithnjw tw kwrcwnuar nga regjimi serb. Rreziku ishte i madh, lojtarët dhe stafi mund të përfundonin në burg vetëm pse përfaqësonin Kosovën.
Së bashku me ta, në këtë mision historik ishin edhe kryetari i atëhershëm i FFK-së Agim Bytyqi dhe sekretari i përgjithshëm Sejdi Mërkoja, të cilët kontribuuan që kjo ëndërr të bëhej realitet.
Takimi përfundoi me fitoren e Kombëtarja e Shqipërisë me rezultat 3:1 ndaj Kombëtarja e Kosovës, por rezultati ishte dytësor. Fitorja e vërtetë ishte vetë zhvillimi i ndeshjes, një mesazh i fuqishëm bashkimi dhe rezistence.
Kjo përballje do të mbetet përherë e shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit të Kosovës. Ishte ndeshja e parë shtet me shtet, një moment që dëshmoi se sporti mund të jetë shumë më tepër se lojë.