Derbi i kryeqytetit ndizet këtë të diel në “Air Albania”, ku Partizani përballet me Tiranën në një sfidë që premton emocione të forta në Abissnet Superiore.
Trajneri i të kuqve, Oltijon Kërnaja, në konferencën për shtyp theksoi se skuadra do të hyjë në fushë vetëm për fitore, pavarësisht respektit për rivalin historik.
“Derbi është tjetër gjë. Nuk ka favoritë. Ne do të tentojmë 3 pikët”, u shpreh ai.
Kërnaja vlerësoi formën e mirë psikologjike të grupit, duke nënvizuar harmoninë dhe frymën e bashkimit brenda ekipit. Sipas tij, Partizani ka treguar karakter, sidomos në ndeshjet ku ka luftuar deri në minutat e fundit për rezultat pozitiv.
Në analizën për kundërshtarin, tekniku i të kuqve theksoi se Tirana ka fituar cilësi në fazën ofensive dhe paraqitet kompakte në mbrojtje, por Partizani ka marrë masat për të neutralizuar pikat e forta të bardhebluve.
Objektivi sezonal mbetet i qartë: sigurimi i një vendi në “Final 4”.
“E kemi në dorën tonë. Nëse marrim ndeshjet tona, gjithçka është e arritshme”, deklaroi trajneri i të kuqve.
Mesazhi për tifozët ishte i drejtpërdrejtë: mbështetje maksimale në stadium.
Derbi numër 3 i sezonit pritet të jetë një betejë nervash, ku zemra dhe karakteri mund të bëjnë diferencën.