Ukraina ka rënë dakord për paketë të re ndihme energjetike dhe ushtarake me aleatët e saj evropianë, në prag të katërtit përvjetor të pushtimit rus, më 24 shkurt, njoftoi sot presidenti Volodimir Zelenski.
Qeveria në Kiev po përpiqet të mobilizojë mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa lufton kundër avancimit rus në terren dhe sulmeve ajrore mbi infrastrukturën e saj energjetike, ndërkohë që përballet me presione nga Shtetet e Bashkuara për të negociuar paqe.
“Gjatë takimit në Mynih u dakorduam me liderët e Berlin Format për paketa konkrete ndihme në sektorin energjetik dhe ushtarak për Ukrainën deri më 24 shkurt,” shkroi Zelenski.
Të premten, pas takimit me grupin e njohur si Berlin Format, ku morën pjesë rreth 12 liderë evropianë, Zelenski tha se shpreson të sigurojë mbështetje të re, duke përfshirë raketa kundërajrore.
“Jam mirënjohës ndaj partnerëve tanë për gatishmërinë për të ndihmuar, dhe presim që të gjitha dërgesat të realizohen menjëherë,” shtoi ai.
Sulme të rënda mbi qytetet dhe energjinë
Sulmet ruse në qytete të mëdha, si Kiev, kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën energjetike, duke lënë miliona qytetarë pa energji elektrike gjatë valës së të ftohtit ekstrem.
Zelenski njoftoi se vetëm javën e kaluar Rusia kreu rreth 1.300 sulme me dronë, 1.200 bomba të udhëzuara dhe dhjetëra raketa balistike kundër Ukrainës.