Real Madridi do të përballet sërish me ish-trajnerin e tij José Mourinho të martën, në ndeshjen e parë të fazës play-off të Ligës së Kampionëve kundër SL Benfica.
Skuadra portugeze fitoi 4-2 në përballjen e fundit mes tyre, dhe madrilenët synojnë hakmarrjen në Lisbonë, pasi humbja e tre javëve më parë ekspozoi dobësi të konsiderueshme në mbrojtje.
Drejtuesit e klubit spanjoll vazhdojnë të kenë vlerësim për Mourinhon, pavarësisht se gjatë periudhës së tij në Madrid (2010-2013) rezultatet nuk përmbushën plotësisht pritjet.
Sipas raportimeve, trajneri portugez ka një klauzolë në kontratën e tij që i lejon të largohet pa penalitet deri në 10 ditë pas përfundimit të sezonit, gjë që e bën të mundshëm një rikthim të dytë në “Santiago Bernabéu”, nëse klubi vendos të bëjë lëvizje konkrete, raporton Diario AS.
Aktualisht, madrilenët drejtohen nga Álvaro Arbeloa deri në fund të sezonit, ndërsa drejtuesit po shqyrtojnë disa kandidatë për të ardhmen. Emri i Jürgen Klopp konsiderohet si opsioni ideal, por rikthimi i tij në trajnim duket i pamundur për momentin, duke e bërë Mourinhon një alternativë reale, sidomos për shkak të përvojës së tij në menaxhimin e skuadrave me yje të mëdhenj. Megjithatë, deri tani nuk raportohet për kontakte zyrtare mes palëve.