Armando Duka merr mandatin e shtatë në krye të FSHF, më jetëgjati president futbolli në kontinent

- Bota Sot

Armando Duka merr mandatin e shtatë në krye të FSHF, më jetëgjati president futbolli në kontinent

Armando Duka u rizgjodh sërish në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndodhi dje, në ambientet e “shtëpisë së Futbollit” në Tiranë, në asamblenë e zakonshme zgjedhore. Të gjithë delegatët votuan unanimisht kandidaturën e tij, e cila ishte e vetmja. Përfundimi i votimit i ditur dhe duartrokitur. Asnjë votë kundër, të gjitha pro për udhëheqësin më jetëgjatë të një federate futbolli në Europë. Vetëm Jules Rimet, që ka drejtuar FIFA-n midis viteve 1921-1954, pra 33 vite është i pakonkurrueshëm deri tani. Natyrisht, më shumë se Duka në krye të një federate futbolli ka drejtuar Angel Maria Villar, presidenti i federatës spanjolle të futbollit, që drejtoi nga viti 1988 deri në vitin 2017, pra plot 29 vite. Me mandatin e shtatë Duka thuajse e barazon. Por më jetëgjatët që kanë drejtuar federata të një vendi anëtar në kontinentin europian nuk i afrohen Dukës së FSHF-së që dje mori mandatin e shtatë, pra do të shkojë drejt një 28-vjeçari në krye të futbollit shqiptar. Ndoshta një mandat i 8-të pas katër vjetësh do të bënte që të thyhej edhe rekordi më i madh i një presidenti federate kombëtare futbolli në historinë e Europës e ndoshta të botës.

Qëndrimi i Dukës

Pas zgjedhjes për herë të shtatë në krye të federatës, Duka falënderoi votuesit dhe premtoi se do të bëjë maksimumin e vet për të mirën e futbollit shqiptar. Ai uroi gjithashtu që kombëtarja e futbollit këtë herë të mund të kualifikohej në Botëror. “Dua t’ju falënderoj edhe njëherë nga zemra për mbështetjen e sotme, për mbështetjen e vazhdueshme që më keni dhënë mua dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Për mua ky nuk është thjesht një votim, është një përgjegjësi e madhe, vlerësim dhe më bën, apo më detyron që të jem akoma më i përkushtuar në shërbim tuaj dhe të FSHF. Ju premtoj që ne do të bëjmë maksimumin që federata jonë, loja dhe futbolli ynë, kampionati, ekipet tona kombëtare, zhvillimi i infrastrukturës dhe stabiliteti financiar i FSHF-së të jenë në nivelet maksimale në vitet e ardhshme. Uroj që të gjithë ne bashkë të jemi pjesë e Kampionatit Botëror 2026. Suksese Silvinjos, ekipit kombëtar. Faleminderit të gjithëve”, – tha Presidenti Duka.

Zgjidhen 10 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, mes tyre edhe moderatori televiziv Blendi Fevziu

Në zgjedhjet e djeshme në asamblenë e FSHF-së u zgjodhën edhe 10 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv me një mandat 4-vjeçar. Kështu, Anila Basha ishte e para që u rizgjodh, pasi mori 47 vota pro dhe vetëm një votues abstenoi. Pas votimeve u zgjodhën Armand Cungu, Blendi Fevziu, Edmond Hasanbelli, Erind Resuli, Geri Çipi, Lufti Nuriu, Envi Hicka, Gjergji Petro dhe Pano Xhixho. Nga gara u tërhoqën Abdyl Kuriu dhe Arben Dervishaj të cilët prej vitesh kanë qenë në Komitetin Ekzekutiv. Dervishaj në mandatin e fundit ka qenë edhe zëvendëspresident i FSHF-së. Interesant është fakti se këtë herë në komitet u zgjodh edhe moderatori i njohur i televizionit, Blendi Fevziu. Në përgjithësi, pjesa dërrmuese e anëtarëve të zgjedhur të Komitetit morën mbi 40 vota secili.



Read it all at Bota Sot