Françesko Totti ka dalë hapur për herë të parë mbi mundësinë e një rikthimi te Roma, duke konfirmuar publikisht se bisedimet me drejtuesit e klubit janë reale dhe në zhvillim.
Pas deklaratave të bëra më herët nga Klaudio Ranieri dhe batutës së Xhan Piero Gasperini, si dhe pas pranisë së tij në “Olimpico” për një ndeshje të Romës, tashmë vetë ish-kapiteni verdhekuq ka konfirmuar se diçka konkrete po lëviz në prapaskenë.
Toti, i cili u largua nga Roma në qershor të vitit 2019, dy vite pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, po punon me familjen “Friedkin” për një rikthim të mundshëm në “Trigoria”.
Largimi i tij asokohe erdhi pas dy sezonesh të vështira në një rol drejtues jo të qartë, me keqkuptime dhe paqartësi mbi kompetencat reale. Tani, situata duket ndryshe dhe mundësia e rikthimit është më konkrete se kurrë.
“Po, po flasim, dhe kam qenë edhe në darkë me Gasperinin”, deklaroi Toti për “Sky”, duke konfirmuar zërat që prej javësh qarkullojnë në ambientin verdhekuq.
Kjo fjali e thjeshtë mjaftoi për të ndezur entuziazmin e tifozëve, të cilët prej kohësh ëndërrojnë ta shohin sërish ikonën e tyre në strukturat e klubit.
Rikthimi i Totit në “Trigoria” nuk është më thjesht një ëndërr e tifozëve, por një mundësi konkrete që po merr formë. Nëse marrëveshja do të finalizohet, Roma mund të rikthejë jo vetëm një simbol, por një figurë me peshë reale në të ardhmen e klubit.