Gianluca Prestianni ka reaguar publikisht pas akuzave të Vinícius Júnior, duke mohuar kategorikisht se ka përdorur fyerje raciste ndaj sulmuesit brazilian gjatë ndeshjes mes Benfica dhe Real Madrid.
Incidenti ndodhi pas golit të Vinicius në minutën e 51-të, kur braziliani iu drejtua arbitrit francez François Letexier, duke pretenduar se Prestianni e kishte quajtur “majmun”. Pas këtij raportimi, arbitri aktivizoi protokollin antiracist të UEFA-s dhe ndeshja u ndërpre për rreth tetë minuta.
Në një deklaratë të publikuar në Instagram, Prestianni theksoi se në asnjë moment nuk ka ofenduar Vinicius në mënyrë raciste, duke shtuar se lojtari i Real Madridit “e keqinterpretoi atë që mendonte se dëgjoi”. Argjentinasi u shpreh se nuk ka qenë kurrë racist ndaj askujt.
Pamjet televizive nuk arritën të konfirmonin fyerjet e supozuara, pasi Prestianni i ishte drejtuar Vinicius me gojën e mbuluar nga bluza. Ndërkohë, mesfushori i Real Madridit Aurélien Tchouaméni deklaroi se Vinicius kishte raportuar se ishte quajtur “majmun” dhe “pederast”.
Në fund të reagimit të tij, Prestianni denoncoi edhe kërcënimet që, sipas tij, ka marrë nga lojtarë të Real Madridit pas incidentit, duke shprehur keqardhje për situatën e krijuar.