Sulmuesi i Gallatasarajit, Viktor Osimhen, rrëfeu për herë të parë prapaskenat e largimit nga Napoli dhe polemikat që tronditën klubin.Në një realitet tjetër Osimhen do të kishte veshur fanellën e Juventusit dhe do të drejtohej nga Luçiano Spaletti, trajneri që ndërtoi Napolin e titullit historik.
“Në Stamboll gjeta një shtëpi. Kam gjetur një klub dhe një qytet që i dua. Mbase ishte fat. Sapo mbërrin në Stamboll, e kupton pse kushdo që ka luajtur këtu është dashuruar me ekipin dhe njerëzit. Nuk kisha përjetuar kurrë diçka të tillë”, u shpreh fillimisht nigeriani. Gallatasaraji, sipas tij, po rritet me ambicie të mëdha. “Duam të lëmë gjurmë në Europë. Në Turqi jemi realitet i konsoliduar, por tani synojmë më shumë”, vazhdoi më tej.
MARRËDHËNIA ME SPALETIN Për trajnerin që e çoi Napolin drejt titullit, Osimhen ka vetëm fjalë respekti. “Thuhej se ziheshim, por nuk ishte e vërtetë. E vlerësoj shumë. Ka fjetur me muaj në qendrën stërvitore për të na bindur se mund ta fitonim titullin. Na kërkonte shumë, por na jepte edhe më shumë. Disa trajnerë të rrisin fillimisht si njeri e pastaj si futbollist”, tha ai. Kur pyetet nëse versioni “turk” i tij është më i fortë se ai i Serie A, përgjigjet me vetëbesim. “Nuk më pëlqejnë krahasimet, por e di që jam ndër qendërsulmuesit më të mirë në qarkullim. Nëse nuk jam numri një, jam numri dy. Ose, në fund të fundit, numri tre”, deklaroi ai
INTERESIMI I JUVENTUSIT Osimhen konfirmon se transferimi te Juventusi ishte real. “Para se të fillonin bisedimet me Gallatasarajin, Xhuntoli më telefonoi për të më çuar te Juventusi. Fola me disa persona nga klubi, interesi ishte konkret. Por e dija që De Laurentis nuk do të më linte të largohesha. Kur të telefonon Juventusi, duhet të ulesh dhe të dëgjosh”, sqaroi.
“TIKTOK”-U DHE TRAJTIMI TE NAPOLI Kriza me Napolin shpërtheu pas një videoje ironike të publikuar në TikTok nga klubi, pas një penalltie të humbur kundër Bolonjës. Në video, Osimhen krahasohej me një arrë kokosi, episod që u konsiderua nga shumëkush si aludim racist.
“Çdokush mund të humbasë një penallti. Napoli e bëri vetëm me mua, me aludime të një lloji të caktuar. U bëra viktimë e fyerjeve raciste dhe vendosa të largohem. Fshiva fotot me fanellën e Napolit nga “Instagrami” dhe ata e përdorën këtë për të më vënë kundër tifozëve”, deklaroi Osimheni.
Për marrëdhënien me presidentin Aurelio De Laurentis, Osimhen foli hapur. “Kishim një marrëveshje xhentelmenësh që verën pasuese mund të largohesha, por angazhimi nuk u mbajt plotësisht. U përpoqën të më dërgonin kudo, më trajtonin si qen. Shko këtu, shko atje, bëj këtë, bëj atë…
Kam sakrifikuar shumë për karrierën time. Nuk jam kukull”.
Edhe pse thuhej se Antonio Konte nuk e donte në skuadër, Osimhen e mohon.
“Konte më thirri në zyrë dhe më tha se donte të qëndroja. Do të më pëlqente të punoja me të, por tashmë kisha marrë vendimin. Nuk mund të vazhdoja në një vend ku nuk ndihesha i lumtur”. Ajo që e lëndon më shumë? “
Askush nuk kërkoi falje publikisht. U përhapën zëra se vonohesha në stërvitje apo se zihesha me shokët. Janë gënjeshtra. Më vjen keq për tifozët, por i kuptoj, për ta Napoli është mbi gjithçka”, mbylli sulmuesi.