Futbollistët e ekipit slloven Celje, do ta zhvillojnë të enjten ndeshjen e parë të play-off-it në Conference League në futboll.
Ekipi slloven takohet me kampionin e Kosovës, Dritën e Gjilanit.
Ndeshja luhet (21.00) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Trajneri Ivan Majevski ka paralajmëruar një përballje të hapur dhe thekson se skuadra e tij nuk mendon për barazim apo humbje minimale.
Bjellorusi, i cili pasoi spanjollin Albert Riera në stolin e Celjes, dëshiron që skuadra e tij të tregojë lojën e zakonshme edhe në Kosovë”, shkruan media sllovene “RTVslo”.
“Të mendosh për barazim apo humbje minimale është jashtë diskutimit.
Duam të luajmë ashtu siç dimë. Nëse e bëjmë këtë, rezultati do të vijë. Në mendjen tonë ekziston vetëm fitorja”, deklaroi Majevski para sfidës së së enjtes.
Ai shtoi se përgatitjet bëhen njësoj për çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit.
“Kjo është një ndeshje evropiane.
Të gjithë në klub, bashkë me tifozët, jetojnë për sfida të tilla. Janë të veçanta për të gjithë.
Përgatitja para çdo ndeshjeje është e njëjtë. Nuk ka rëndësi kush është përballë, por është e vërtetë që ndeshjet në Evropë kanë një peshë të veçantë, gjë që lojtarët e dinë”, tha ai.
“Drita, me seli në Gjilan, ndeshjet evropiane i zhvillon në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Vlera e skuadrës sipas Transfermarkt është 7.58 milionë euro, ndërsa lojtari më i vlefshëm është sulmuesi Arb Manaj me vlerë 800 mijë euro.
Ai ka pasur probleme me lëndim, por pritet të rikthehet ndaj Celjes.
Drita aktualisht renditet e treta në kampionatin vendas, vetëm një pikë prapa Ballkanit dhe Prishtinës.
Në xhiron e fundit mposhti Drenicën me rezultat 1:0.
Nga ana tjetër, Celje ka vlerë totale prej 12.5 milionë euro dhe kryeson kampionatin slloven.
Lojtari më i vlefshëm i skuadrës është Svit Seshlar me vlerë 2.5 milionë euro, i cili ka treguar formë të mirë në kampionat.
Majevski është i vetëdijshëm se ka marrë drejtimin e skuadrës pas largimit të Rierës, por thekson se nuk ka bërë ndryshime të mëdha:, shkruan media sllovene.
“Lojtarët janë mësuar me një mënyrë të caktuar pune, prandaj tani nuk është momenti për ndryshime të mëdha.
Kam shtuar disa ide të miat, por nëse diçka funksionon, nuk ka arsye ta ndryshoj.
Ua kam bërë të qartë lojtarëve se jam Ivani dhe jo Alberti.
Mund të ndryshoj disa detaje të vogla, por parimet bazë mbeten të njëjta”, përfundoi Majevski.