Futbollisti i Dritës, Raddy Ovouka, ka thënë se Celje është kundërshtar i fortë, por është shprehur optimist për paraqitjen e skuadres gjilanase.
Drita e pret Celjen të enjten mbrëma nga ora 21:00 në stadiumin "Fadil Vokrri", në ndeshjen e parë të fazës "play off" në Conference League. Drita e kishte mbyllur fazën e ligës në vendin e njëzetë me shtatë pikë.
“Do të luajmë ndaj një ekipi të madh. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme. Jemi gati për atë lojë. Ka qenë shumë e rëndësishme për të gjithë që të luajmë në Conference League.
Kemi punuar shumë dhe për këtë arsye jemi këtu sot”, ka deklaruar futbollisti kongolez në konferencën për shtyp.
Mbrojtësi, i cili është një prej lojtarëve kryesorë te kampionia në fuqi e Kosovës, ka thënë se do ta japë maksimumin në fushë për ta ndihmuar skuadrën drejt një rezultati pozitiv.
“Do ta jap më të mirën. Jam i lumtur që trajneri e ka besimin në mua dhe unë do ta jap më të mirën. Të gjithë jemi të gatshëm për lojën e nesërme”, ka theksuar Ovouka.