Merzi i vë pikëpyetje parimore projektit të avionëve FCAS

- Bota Sot

Merzi i vë pikëpyetje parimore projektit të avionëve FCAS

Gjermania, Franca dhe Spanja kanë planifikuar për vite me radhë sistemin e përbashkët luftarak ajror FCAS. Tani Kancelari Merz i ka përshkruar kërkesat e ndryshme ushtarake të vendeve si një problem.

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur dyshime në lidhje me sistemin e përbashkët luftarak ajror FCAS me Spanjën dhe Francën. Në një intervistë në podkastin "Machtwechsel", Merz iu referua një "problemi real me profilin e kërkesave". Kërkesat e Francës dhe Gjermanisë  për avionin luftarak të brezit të ardhshëm, i cili është në zemër të FCAS, janë shumë të ndryshme, deklaroi kancelari. Kjo çështje nuk është zgjidhur kurrë në mënyrë të kënaqshme dhe përfundimtare.

I aftë për të mbajtur armë bërthamore apo jo?

"Në mënyrë specifike, francezët kanë nevojë, në brezin e ardhshëm të avionëve luftarakë, për një avion të aftë për të mbajtur armë bërthamore dhe për tu ulur në një aeroplanmbajtëse. Kjo nuk është ajo që na duhet aktualisht në ushtrinë gjermane." Tani lind pyetja nëse FCAS mund të realizohet me dy avionë. "Franca dëshiron të ndërtojë vetëm një dhe ta përshtatë atë me kërkesat e saj specifike. Por kjo nuk është ajo që na duhet", tha Merz.

Kancelari ngriti gjithashtu pyetje parimore. "Do të doja që pyetja të sqarohej tani : a do të na duhet ende një avion luftarak me pilot pas 20 vitesh?"

Presidenti francez Emmanuel Macron iu përgjigj kritikave të Kancelarit gjerman dhe deklaroi, në kuadër të një vizite në Indi, se ai mbetej "i përkushtuar për suksesin e projektit". Nevojat ushtarake të vendeve pjesëmarrëse nuk kanë ndryshuar. Për Francën, kjo ka përfshirë parandalimin bërthamor që nga fillimi, deklaroi Pallati Élysée.

I ndërlikuar, por i realizueshëm?

"Ne nuk dorëzohemi," deklaroi Ministrja franceze e deleguar për Mbrojtjen Alice Rufo në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke iu referuar FCAS. "Ne jemi në një situatë ku do të ishte absurde të mos bashkëpunonim midis evropianëve," deklaroi politikania. "Është e komplikuar, por ne do të kemi sukses."

Në Paris, janë ngritur dyshime rreth aftësisë së Gjermanisë për të ndërtuar një avion luftarak pa ekspertizën franceze. Paçin fat nëse duan ta bëjnë vetë. Ne dimë si të ndërtojmë një avion luftarak, ishte përgjigja nga burimet qeveritare franceze."

Zëvendësues për Eurofighter

Shkurtesa FCAS përfaqëson "Sistemin e Armatosur të Fluturimit të së Ardhmes".Ky sistem i ardhshëm ajror luftarak do të përfshijë jo vetëm avionë reaktivë, por edhe dronë dhe sisteme inovative komunikimi. Ai synon të formojë shtyllën kurrizore të mbrojtjes ajrore franko-gjermane nga vitet 2040 e tutje. Në planin afatgjatë, ai do të zëvendësojë Eurofighter Typhoon në Forcën Ajrore Gjermane dhe avionin luftarak Rafale në Forcën Ajrore Franceze.

Sipas marrëveshjeve të arritura deri tani, Franca, Gjermania dhe Spanja do të kontribuojnë secila me një të tretën në zhvillimin e FCAS. Prodhuesi i avionëve Dassault Aviation është përgjegjës për projektin në Francë, Airbus në Gjermani dhe grupi Indra Sistemas, i cili prodhon kryesisht pajisje për kontrollin e trafikut ajror, në Spanjë. Projekti përfaqëson një investim prej afërsisht 100 miliardë eurosh.

Në vazhdim që nga viti 2017

Presidenti Macron dhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) e nisën projektin gjatë një takimi të kabinetit franko-gjerman në vitin 2017. Dy vjet më vonë, Spanja njoftoi pjesëmarrjen e saj. Belgjika ka mbajtur statusin e vëzhguesit që nga viti 2023.

Macron vazhdon ta mbështesë publikisht FCAS, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e dështimit. "Duke pasur parasysh sfidat strategjike me të cilat përballet Europa, do të ishte e pakuptueshme nëse dallimet industriale nuk mund të kapërceheshin," tha Macron.

Vendimi për FCAS është shtyrë tashmë dy herë. Tani pritet të merret deri në fund të shkurtit./DW



Read it all at Bota Sot