Pas dy humbjeve të dhimbshme ndaj Atleticos së Madridit dhe Girona-s, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka konfirmuar se nuk do të heqë dorë nga ideja e tij e lojës.
Edhe në fillim të sezonit, kur ekipi përjetonte një valë lëndimesh, gjermani nuk ndryshoi filozofinë e tij dhe nuk do ta bëjë tani.
Flick është i bindur se modeli i tij i lojës e çoi Barcelonën drejt ‘tripletës’ kombëtare sezonin e kaluar dhe, nëse zbatohet saktë, mund të sjellë suksese të ngjashme këtë sezon, duke shtuar titujt pas Superkupës së Spanjës të fituar në janar kundër Real Madridit në Arabinë Saudite.
Gjatë një takimi njëorësh me lojtarët e tij në Ciutat Esportiva, Flick analizoi gabimet e bëra ndaj Atletico-s dhe Girona-s. Ai e kuptoi se mënyra si Barcelona luajti në pjesën e parë ndaj Atletico-s nuk do të mjaftonte për të arritur një sezon si ai i kaluar. Pas përballjes me Girona-n, gjermani vendosi t’u japë lojtarëve dy ditë pushim për të rifreskuar mendjen, për t’u kthyer më të motivuar dhe të përgatitur për fazën vendimtare të sezonit.
Fokus i Flick është rikthimi i intensitetit dhe organizimit në fushë. Ai kërkon që skuadra të përdorë presionin e avancuar për të kufizuar rastet e kundërshtarit dhe për të pësuar më pak gola. Në ndeshjen ndaj Atletico-s, Barça pësoi katër gola nga shtatë goditje në portë, ndërsa ndaj Girona-s, kundërshtari shënoi dy gola nga katër goditje.
Gjermani gjithashtu kërkon më shumë efikasitet sulmues, pasi Barcelona realizoi vetëm një gol në 180 minuta, pavarësisht 18 goditjeve ndaj Girona-s (7 drejt portës) dhe 14 goditjeve ndaj Atletico-s, prej të cilave vetëm tre ishin drejt portës.
Flick dëshiron të shohë një rikthim të urisë dhe disiplinës ndaj Levantes, këtë të diel, në orën 16:15, duke kërkuar nga lojtarët intensitet, forcë dhe efikasitet në finalizim.