Dy persona të kërkuar me letër rreshtim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Gjermania në Kosovë më 17 dhe 19 shkurt 2026, pas arrestimit të tyre nga autoritetet gjermane përmes Interpolit.
Njëri prej tyre kërkohej për veprat penale “vrasje në tentative” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa tjetri për “vjedhje e rëndë”. Pas ekstradimit, të dyshuarit u janë dorëzuar njësive përkatëse të policisë për vazhdimin e procedurave ligjore, njofton Policia e Kosovës.
Ekstradimet u realizuan nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Policia e Kosovës do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitetet në gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.