Një gazetar turk për transmetuesin publik gjerman Deutsche Welle (DW), Alican Uludag, u arrestua në Ankara të enjten nën akuzat për “përhapje lajmesh të rreme” dhe “fyerje të Presidentit” Recep Tayyip Erdogan.
Në deklaratën e saj, zyra e prokurorit tha se po kryente një hetim për fyerje të Presidentit të Republikës dhe përhapje lajmesh mashtruese në internet kundër gazetarit, duke vënë në dukje se hetimi u nxit nga mesazhet e postuara në llogarinë e tij në rrjetin social X.
Megjithatë, sipas një avokati që e përfaqëson Uludag, ai po përballet me akuza për një artikull që ai botoi në faqen e internetit të DW në lidhje me riatdhesimin e qytetarëve turq që dyshohet se kanë luftuar në radhët e organizatës xhihadiste të Shtetit Islamik.
“Alican Uludag u arrestua për artikullin e tij të titulluar ‘Turqia po përgatitet të riatdhesojë qytetarët turq që i përkasin Shtetit Islamik (organizatës)”, tha Tora Pekin, një avokate.
Sipas Deutsche Welle, akuzat kanë të bëjnë gjithashtu me një mesazh nëpërmjet X nga rreth një vit e gjysmë më parë, në të cilin gazetari kritikoi masat e marra nga qeveria turke që mund të kenë çuar në lirimin e terroristëve të ISIS dhe akuzoi qeverinë për korrupsion.
DW raportoi se gazetari u arrestua para anëtarëve të familjes së tij nga rreth tridhjetë oficerë policie, ndërsa shtëpia e tij u kontrollua dhe pajisjet kompjuterike u konfiskuan. Sipas avokatit të tij, ai po udhëtonte nga Ankaraja për në Stamboll mbrëmë dhe pritet të paraqitet para zyrës së prokurorit sot.