Lëndimi i futbollistit Milan Shkriniar është lajm i keq për sllovakët dhe lajm i mirë për Kosovën.
Media sllovake “Sport’ jep alarmin në prag të sfidës së madhe me kombëtaren e Kosovës që luhet (26 mars) në kuadër të gjysmëfinales së Play-off-it për një biletë në Kampionatin Botëror.
Skuadra turke Fenerbahce ka njoftuar se kapiteni Milan Shkriniar ka pasur këputje të pjesshme të muskulit në ndeshjen ndaj Nottingham Forestit të enjten mbrëma
“Mbrojtësi qendror 31-vjeçari Milan Shkriniar u lëndua në ndeshjen e parë të play-off-it të Europa League kundër Nottingham Forestit të enjten.
Sipas klubit të tij, Fenerbahce, ai ka nisur trajtimin, por nuk është bërë e ditur data e saktë e rikthimit.
Shkriniar u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 26-të për shkak të problemeve në ijë dhe rrezikon të humbasë play-off-in e marsit për Botërorin 2026 me Sllovakinë.
Sipas pamjeve televizive, ai nuk bëri ndonjë lëvizje të pazakontë.
Megjithatë, pasi topi u pasua përpara, ai kapi zonën e ijëve, u ul në fushë dhe në vend të tij hyri mbrojtësi turk Çaglar Soyuncu. Kamerat e kapën Shkriniarin duke u larguar në këmbë me një çalim të lehtë pas ndeshjes”, shkruan media sllovake.
“Duket serioze, do ta shohim.
Është një problem i madh për ne,” deklaroi trajneri i Fenerbahces, Domenico Tedesco, në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Klubi më pas publikoi rezultatet e rezonancës magnetike: “Kapiteni ynë Milan Shkriniar iu nënshtrua një MRI-je në Spitalin Atashehir.
U konstatua një çarje e pjesshme në ijën e djathtë dhe lojtari ka nisur trajtimin”.
Gazetari turk Sercan Hamzaoğlu bëri të ditur se periudha e rikuperimit mund të zgjasë deri në katër javë.
“Sllovakia pret në shtëpi Kosovën më 26 mars në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026”, shkruan media sllovake.