Incidenti i fundit gjatë ndeshjes Benfica – Real Madrid ka rikthyer vëmendjen mbi racizmin në futbollin europian. Sulmuesi brazilian Vinicius Junior akuzoi pas ndeshjes mbrojtësin Gianluca Prestianni për përdorimin e një fjalori racor, duke e quajtur atë “majmun” dhe duke u mbuluar me fanellë për të mos u kapur nga kamerat. Vinicius reagoi menjëherë, tregoi për ngjarjen te arbitri dhe videot e incidentit u bënë virale, duke ndezur sërish debatet mbi racizmin në futboll.
Në këtë kontekst, UEFA reagoi me një komunikatë zyrtare duke njoftuar nisjen e hetimeve, ndërsa trajneri Pep Guardiola foli hapur për çështjen në konferencën për shtypin para ndeshjes së Newcastle United në Premier League.
Guardiola theksoi: “Ngjyra e lëkurës nuk e bën askënd më të mirë ose më të keq.
Ka shumë për të bërë në shoqëri, jo vetëm në futboll. Racizmi është kudo; është një iluzion për t’u ndier superiorë ndaj të tjerëve.”
Trajneri spanjoll shtoi se zgjidhja nuk është vetëm sportive: “Zgjidhja kalon përmes shkollave.
Duhet të investojmë te mësuesit dhe te mjekët, jo vetëm te futbollistët. Ata janë figurat kryesore për ndërtimin e një shoqërie të drejtë.”
Fjala e Guardiolës nënvizon nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse kundër racizmit, duke e shtrirë përgjegjësinë për edukimin dhe respektin jashtë fushave të lojës dhe jo vetëm tek futbollistët.
Ky incident ka rikthyer sërish vëmendjen ndërkombëtare mbi sfidat e shoqërisë moderne për barazinë dhe përfshirjen.