Gjeneratat e vjetra si sot e kujtojnë pranverën e vitit 1983 në kryeqytetin e Kosovës.
Në krahasim me Varazhdinin e ditës së sotme, ishte tepër më vështirë në Prishtinë, se pak orë para ndeshjes me Teteksin fusha ishte e mbuluar me borë të madhe dhe ndeshja rrezikonte të mos të zhvillohej në kuadër të Ligës së Dytë të ish Jugosllavisë, grupi i Lindjes në futboll.
Armata e tifozëve të Prishtinës, në atëkohë kishte hyrë në fushë dhe e pastroi aq shpejt, saqë i la pa fjalë qarqet ish jugosllave.
E rregulluan terrenin dhe ndeshja që nuk do të luhej u luajt dhe Prishtina e Fadil Vokrrit e deklasoi Teteksin e Tetovës më rezultat 3:0, në derbin e madh.
Sot ishte pak më ndryshe, pak më lehtë sepse për Varazhdinin ka kohë deri të dielën për të luajtur me Dinamon e Zagrebit në kuadër të Kampionatit të Kroacisë në futboll.
“Shikoni si tifozët e Varazhdinit pastruan borën para ndeshjes me Dinamo e Zagrebit.
Varazhdini dhe Dinamo do të përballen të dielën nga ora 15:00, në ndeshjen e javës së 23-të të SuperSport HNL.
Dy ditë para takimit, klubi i Varazhdinit publikoi një fotografi që tregonte gjendjen e fushës, ajo ishte e mbuluar nga bora, ndaj në klub po bënin gjithçka për ta përgatitur terrenin deri në ditën e ndeshjes.
Varazhdini bëri thirrje për një “mobilizim bore”, ndërsa tifozët iu përgjigjën menjëherë”, shkruan media kroate “Index”.
“Ata dolën në stadium dhe, së bashku, pastruan fushën.
Klubi u kishte premtuar një biletë falas për ndeshjen e së dielës të gjithë atyre që do të ndihmonin”, shkruan media kroate.
“Ndërsa pjesa tjetër e qytetit është fshehur nën batanije, ne po përgatisim fushën për të dielën.
Stadiumi aktualisht është nën një mbulesë të bardhë dhe fusha, realisht ka nevojë për ajër.
Po kërkojmë një ekip që bora nuk mund t’ia prishë planet dhe që e di çfarë do të thotë bashkim i vërtetë,” shkroi klubi në thirrjen e tij.
“Nuk mbaj mend kur bora na ka shkaktuar kaq shumë probleme si këtë sezon. Do të duhet të pastrojmë.
Lojtarët, drejtuesit, trajnerët dhe fëmijët e shkollës së futbollit do të bëjnë çmos për ta pastruar fushën të shtunën.
Sigurisht, do të bëjmë gjithçka që ndeshja e së dielës të zhvillohet. Do të shohim sa do të arrijmë të praktikojmë atë që kemi planifikuar,” tha trajneri i Varazhdinit, Nikolla Shafariq, në paralajmërimin e ndeshjes.