Bylisi rihap kampionatin. Jo vetëm se me një fitore ka ringjallur luftën për mbijetesë në Superiore, por edhe duke ndalur njëkohësisht Vllazninë kryesuese e cila duket e pagabueshme në startin e vitit 2026.
Dueli ishte i hapur, me ekipin ballshiot që për pjesën më të madhe të kohës ia doli të mbante shkodranët larg portës së tij, ndërsa edhe kuqeblutë dukeshin më të pasaktë se zakonisht para katërkëndorit.
Goli i shënuar nga Stoilov në startin e pjesës së dytë detyroi Vllazninë të hidhej me shumë forca në sulm, duke kërkuar barazimin, por pa shënjestrën e duhur.
Ndeshja u ndez vetëm në shtesë, ku fillimisht shkodranët kërkuan penallti, të cilën Rusta nuk ua dha as duke parë pamjet në VAR.
Më pas erdhën dy gola nga të dy ekipet, me Sanago i cili shënoi në portën e boshatisur nga Pohls e Tafilin i cili shënoi golin e nderit për shkodranët të cilët i dhanë fund serisë së fitoreve radhazi në kampionat.