Como arriti një fitore historike 2-0 ndaj Juventusit në kampionat dhe trajneri Cesc Fàbregas e vlerësoi maksimalisht paraqitjen e skuadrës.
Në një intervistë për DAZN, Fabregas deklaroi se lojtarët e tij luajtën një ndeshje “top”, duke kontrolluar sfidën dhe duke mos i dhënë shumë hapësirë Juventusit.
“Portieri ynë bëri vetëm një pritje, kjo tregon se ekipi luajti një ndeshje të shkëlqyer,” tha trajneri.
Fabregas vlerësoi edhe menaxhimin e topit nga lojtarët me teknikë dhe personalitet në momentet kyçe të takimit. Ai nënvizoi se secila ndeshje ka karakteristikat e veta dhe se zgjedhjet taktike varen nga situata në fushë. Fitorja ndaj Juventusit e bën trajnerin spanjoll të ndihet krenar, duke krahasuar ekipin bardhezi me “Real Madridin e Italisë”.
Goli i dytë i Como-s erdhi nga një kundërsulm që kujtoi stilin e Arsenalit nën drejtimin e Arsène Wenger, ku Fabregas luajti më parë: “Arsène ishte si një baba i dytë për mua dhe mësova shumë nga mënyra e tij e lojës dhe tranzicioneve. Këto gjëra dua t’i shoh tek skuadra ime.”
Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e fitores edhe pa të përjashtuarin Nico Paz: “Është e rëndësishme që ekipi të kuptojë se mund të fitojë edhe pa të, sepse ai gjithmonë luan dhe është një lojtar i fortë.”
Sa i përket perspektivës europiane, Fabregas ishte i qartë: “Champions League nuk është objektiv për ne tani. Mund të flasim për këtë pas dy-tre vjetësh. Aktualisht duhet të qëndrojmë të qetë dhe të vazhdojmë të rritemi për ta bërë Como-n më të fortë".