Shkëndija kaloi me sukses edhe pengesën e xhiros së 19-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke mundur Sileksin në Kratovë me shifrat 2:1. Tamba (17’) dhe Zejnullai (89’) sollën golat për tanët, derisa vendasit realizuan me Buturoviqin në fund të pjesës së parë (45’).
Jeton Beqiri, trajner i Shkëndijës, tha: “I kënaqur për luftën e fituar, pasi nuk mund të flas për futbollin e luajtur. Kjo këtu në këtë fushë nuk ka të bëjë me futbollin.
I kënaqur me karakterin dhe angazhimin e futbollistëve. Me pak fat nuk arritëm që ta mbyllim mirë pjesën e parë, pranuam gol në moment shumë negativ.
Pastaj kishte momente ku edhe rrezikuam, por kishim momente edhe ku mund të fitojmë, ndërsa edhe momente ku mund ta humbnim ndeshjen. E rëndësishme është se ne rrezikuam, futëm edhe lojtar më shumë ofenziv. Unë gjithmonë them, se fati i ndjek ata të cilët janë luftëtar dhe që japin maksimumin”.
…karakteri…
Jeton Beqiri: “Mendoj që skuadra tregon karakter, Shkëndija është ekip shumë cilësor.
Ne sot vinim me shumë probleme, erdhem me tre-katër lojtarë mbrojtës të dëmtuar, të cilët nuk ishin 100%. Dhe unë sikur të kisha rrezikuar ti aktivizoj nga fillimi, ata do të humbnin një periudhë shumë më të gjatë, ndërsa ne kemi ndeshje çdo tre ditë dhe nuk e kam luksin e një rreziku të tillë.
Por, unë kam besim tek të gjithë futbollistët që kemi në dispozicion edhe ata që luajtën sot në vendin e futbollistëve që kanë pasur më shumë minuta, u treguan në formë të mirë. Megjithatë jam shumë i dëshpëruar për momentin ku gjendemi tani dhe mënyrën se si të luajmë futboll në këto kushte. Normalisht do kisha dashur të luajmë futboll, jo të kemi luftë klasike.”
…mungoi cinizmi te shanset e krijuara…
Jeton Beqiri: “Ishim në një ndeshje perfekte në pjesën e parë.
Një nga rastet që kishim të kishim shfrytëzuar dhe minimalisht mos të pranonim gol në atë minutë që është shumë problematike, unë besoj që do ta fitonim ndeshjen më lehtë.
Gjithmonë do të kisha prefuar të fitojmë kështu si e fituam, për shkak se shihet forca mendore dhe shpirti i futbollistëve, të cilët patën të enjten 90-të minuta, do të kenë të enjten tjetër prap 90-të minuta. Unë besoj se Shkëndija është e gatshme të luftojë në çdo moment.”
…gara për titull…
Jeton Beqiri: “Shkëndija normalisht se nuk dorëzohet. Shkëndija do të jetë edhe më e fortë me kalimin e javëve. Ne do të vazhdojmë të besojmë në rezultate pozitive dhe unë në asnjë moment nuk e besoj se do të duhet të dorëzohemi dhe nuk do të dorëzohemi.
Ne do të qëndrojmë stoik dhe do të luftojmë deri në xhiron e fundit për të marrë atë që meriton ky ekip në aspektin e futbollit.”.