Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick është shprehur i kënaqur me fitoren ndaj Levantës.
Katalonasit mundën Levantën, me rezultat 3-0, të dielën pasdite duke u rikthye në krye të La Ligës.
“Dhamë një përgjigje shumë të mirë dhe kjo ishte ajo që më duhej. Ishte shumë e rëndësishme të shënonim shpejt. Jemi përmirësuar me kalimin e minutave dhe e kemi merituar fitoren”, tha Flick.
Strategu gjerman vlerësoi veçanërisht performancën e Joao Cancelo, i cili krijoi shumë raste gjatë ndeshjes.
“Ai tregoi sot pikat e tij të forta. Është një futbollist fantastik dhe mund të na ndihmojë shumë. Pamë gjithë cilësinë e tij, veçanërisht në pjesën e parë,” shtoi trajneri gjerman.
Në lidhje me zhgënjimin e Lamine Yamal pas zëvendësimit, Flick tha se kjo është normale dhe theksoi profesionalizmin e lojtarit: “Gjëja më e rëndësishme është që kemi luajtur dhe që lojtarët që hyjnë në fushë japin maksimumin.”
Flick gjithashtu komentoi rëndësinë e rikthimit të Barcelonës në krye të La Liga-s vetëm një javë pas humbjes së vendit të parë ndaj Real Madridit.
“Është e rëndësishme të rikthehesh në krye, por ka ende shumë rrugë përpara. Fitimi i 3-0 dhe tre pikët janë ajo që ka më shumë rëndësi,” përfundoi Flick.