Trajneri i Inter, Cristian Chivu, ka deklaruar se skuadra e tij mund ta përmbysë disavantazhin prej dy golash ndaj Bodo/Glimt dhe të sigurojë kualifikimin në mesin e gjashtëmbëdhjetë më të mirave të champions League.
Interi është mposhtur 3:1 në ndeshjen e parë në Norvegji javën e kaluar dhe tani rrezikon eliminimin, ashtu si kampioni në fuqi i Italisë, Napoli.
Para përballjes së kthimit që luhet të martën në stadiumin “San Siro”, Chivu është shprehur optimist.
“Ne nuk kemi obligime, por kemi detyrë. Duhet të dalim në fushë dhe të bëjmë atë që dimë të bëjmë. Nëse ka një skuadër që mund ta përmbysë këtë rezultat, ajo jemi ne. Nuk duhet ta humbim besimin dhe vetëbesimin”, ka deklaruar tekniku rumun.
Ai ka shtuar se Inter duhet ta tregojë versionin më të mirë të vetes nëse dëshiron të ketë gjasa reale për kualifikim nga “play-off”.
Interi do të jetë pa kapitenin Lautaro Martinez në sulm, ndërsa trajneri nuk ka dhënë detaje për gjendjen e mesfushorit turk Hakan Çalhanoglu, i cili ka pasur probleme fizike në javët e fundit.
Fituesi i këtij dueli do të përballet në fazën e 1/8 së finales me njërën nga skuadrat: Manchester City ose Sporting CP.