Pas Yildiz, Juve rinovon kontratën edhe me McKennie

- Bota Sot

Pas Yildiz, Juve rinovon kontratën edhe me McKennie

Pas zyrtarizimit të rinovimit të kontratës me Kenan Yıldız deri në vitin 2030, Juventus është shumë pranë zgjatjes së bashkëpunimit edhe me Weston McKennie.

Mesfushorit amerikan i skadon kontrata aktuale në muajin qershor, por drejtuesit bardhezi e kanë gati marrëveshjen e re.

Në një moment të vështirë sa i përket rezultateve – me tri humbje radhazi në kampionat dhe Kupë – klubi torinez duket se po mendon për stabilitetin dhe projektin afatgjatë.

Për rinovimin me McKennie mungon vetëm zyrtarizimi. 25-vjeçari vlerësohet për fleksibilitetin dhe kontributin që jep në disa role në mesfushë, ndërsa stafi teknik është i bindur për rëndësinë e tij në skuadër. Gjatë javës së ardhshme pritet që marrëveshja të formalizohet.

Kontrata e re do ta lidhë amerikanin me Juventusin deri në vitin 2030, me një pagë që pritet të kalojë 4 milionë euro në sezon, përfshirë bonuset.

Rinovimi me McKennie përfaqëson një kapitull të ri në një histori që në të kaluarën është dukur disa herë pranë përfundimit.

Tashmë, me firmën e re, mesfushori amerikan konfirmohet si pjesë e rëndësishme e projektit bardhezi për vitet në vijim.



Read it all at Bota Sot