Në disa raste duhet gjithë mbështetja e mundshme për të arritur objektivin.
Prandaj dhe populli zikaltër është gati për të shtyrë skuadrën drejt përmbysjes ndaj Bodo Glimt në Champions, pasi norvegjezët e kanë fituar ndeshjen e parë 3-1.
Stadiumi “San Siro” pritet të mbushet si në mbrëmjet më të rëndësishme.
Parashikohet të jenë 65 mijë tifozë, por kjo shifër mund të rritet, sepse ka ende bileta të disponueshme.
Pas sfidës së akullt në Norvegji, sot në Milano pritet një mbrëmje e nxehtë.
Kualifikimi në 1/8-at e Champions-it është i nevojshëm për Interin, sepse janë shumë të ardhura në lojë, rreth 18 milionë euro. Zikaltrit nuk mund të heqin dorë lehtë nga kjo shumë.
Për përmbysjen, ashtu si sezonin e kaluar kundër Bajernit dhe Barcelonës, mbështetja e stadiumit mund të jetë vendimtare.
Mes tifozëve të shumtë do të jetë edhe një i veçantë, i cili do të shërbente shumë në fushë… Në tribunë duhet të jetë edhe Ronaldo Fenomeni, i cili pritet të nderohet si legjendë e klubit, bashkë me ish-shokun e skuadrës, Cristian Vieri, para ndeshjes