Jens Petter Hauge rikthehet në fushën e ‘San Siro’ me një ndjenjë të veçantë për ngjyrat e kaluara.
Para ndeshjes së kthimit të play off-it të Champions League mes Interit dhe Bodo/Glimt, sulmuesi norvegjez ka ndarë emocionet për lidhjen e tij me Milanin.
“Rivaliteti ndërmjet Interit dhe Milanit është nga më të mëdhenjtë në botë,” tha Hauge, duke theksuar se stadiumi nesër do të jetë një “vullkan” zikaltër, por mbështetja nga distanca nuk mungon:
“Të gjithë ata që do të qëndrojnë në shtëpi do të mbështesin Bodo-n.”
Sulmuesi shtoi se pas golit të tij në ndeshjen e parë kishte marrë shumë mesazhe urimesh nga ish-shokët e tij te Milani: “Jam ende në kontakt me shumë prej tyre dhe ishin vërtet të lumtur për golin tim kundër Interit.”
Hauge tregon se, edhe pse ka ndryshuar skuadër, lidhja dhe respekti për ngjyrat e kaluara mbeten të forta, duke përzier emocionin e rivalitetit me mirënjohjen personale ndaj ish-shokëve të tij.