Në një intervistë për “L’Équipe”, mbrojtësi rrëfen momentin e vështirë: “Kritikat i kuptoj, kam qenë tifoz edhe unë dhe nuk kam nevojë për rrjetet sociale që të di se kam gabuar”.
Pierre Kalulu, një nga notat e pakta pozitive të këtij sezoni te Juventusi, ka folur për “L’Équipe” në lidhje me momentin e vështirë që po kalon skuadra, episodin e kartonit të kuq kundër Interit dhe Botërorin që është në horizont.
“Është një sezon i ngarkuar, diçka normale për klubet e mëdha. Ka shpresa të mëdha dhe na kërkohet të jemi gjithmonë në lartësinë e duhur. Por kjo është ajo që e ëndërrojmë që kur jemi fëmijë. Ky profesion ka objektiva dhe do të shohim në fund të sezonit.
Kam qenë edhe unë tifoz dhe e di se si janë kritikat. Në një moment ka frustrim, ofendime në rrjetet sociale dhe pastaj shkon dhe fle. Edhe pse të kritikojnë si person, nuk duhet ta marrësh si diçka personale.
Gjithmonë mendoj se, nëse nuk dua të lexoj disa gjëra, nuk duhet të futem në rrjetet sociale, as kur gjërat shkojnë mirë. Nuk kam nevojë që dikush të më thonë se luajta mirë ose jo.
I kuqi ndaj Interit? E fika telefonin, sepse nuk doja ta ushqeja më tepër atë episod. Shumë njerëz folën, por skualifikimi mbeti. Më mirë ta lë gjithçka pas krahëve. Nuk besoj se ai episod influencoi te ndeshja me Gallatasarajin. Duket sikur kërkojmë justifikime, por në fakt luajtëm keq në Turqi.
Kundërshtarët duhen studiuar për t’i shtyrë të bëjnë atë që nuk janë mësuar të bëjnë.
Botërori? Kombëtarja është niveli më i lartë për çdo lojtar, një ëndërr fëmijërie dhe një privilegj. Unë ndihem gati”, – ka thënë Kalulu mes të tjerash.